Thursday, November 20, 2014

“S’tolerojmë asnjë, Lenën s’e larguam”



Sinan Idrizi shpreh bindjen se stafi i ri teknik i Flamurtarit do t’u përgjigjet kërkesave të klubit vlonjat, duke dhënë kontributin në arritjen e objektivave. Gjatë një bisede për “Panorama Sport”, administratori i klubit vlonjat vlerëson pozitivisht
stafin italian, duke menduar se drejtuesit e rinj do të sjellin një frymë të re në ekip. Idrizi mendon se stafi italian do të sjellë ide të reja, të cilat i përgjigjen edhe politikës së drejtuesve të Klubit të Futbollit Flamurtari. “Po e ndjek me vëmendje të madhe punën e stafit të ri teknik me në krye trajnerin Ramela. Kemi një mendim të përbashkët edhe me drejtuesit e tjerë dhe specialistët e klubit, pasi trajneri italian së bashku me ndihmësit e tij janë të përkushtuar. Shoh se është një staf shumë i përgatitur dhe me një kulturë të gjerë. Është një staf që u përgjigjet politikave të klubit dhe projektit tonë. Ata përshtaten me ne, pasi kemi ide të përbashkëta, ide europiane dhe kërkojnë të ndërtojmë një klub profesionistësh. Jam i kënaqur nga përshtypja e parë. Them se kemi bërë zgjedhjen e duhur, pasi shikoj që kanë një mentalitet ndryshe. Kam besim se do të bëjnë më të mirën te Flamurtari”, tha fillimisht Idrizi.


Rregullorja - Futbollistët e Flamurtarit janë të dënuar të zbatojnë një sërë rregullash. Gjatë bisedës së djeshme administratori Sinan Idrizi ka theksuar se Flamurtari kërkon lojtarë seriozë dhe punëtorë. Ai ka thënë se ekipi duhet të ketë një regjim të plotë dhe të zbatojë detyrat që i jep trajneri. Idrizi la të kuptohet se lojtarët që nuk bëjnë regjim, nuk do të jenë në planet e Flamurtarit. “A-ja jonë është të ndërtojmë institucionin në bazë të disa rregullave. Nuk dua t’u hyj analizave se çfarë është bërë deri më tani, kanë pasur apo jo regjim, por dua të theksoj se nga këtej e në vazhdim, pra që nga marrja e Flamurtarit në administrimin tonë nuk do të diskutohen më probleme të tilla. Ju e patë vetë atë djalin (Lenën), që për veprimin që bëri e mori mësimin. Nuk do të lejojmë në asnjë rast që të shkelen parimet tona, nuk ka asnjë tolerim. Ne duam njerëz seriozë dhe jo futbollistë që të rrinë gjithë ditën në kafe, apo ta gdhijnë duke pirë. Iku ajo kohë, ç’kanë bërë i përket periudhës ‘para Krishtit’, duhet ta kuptojnë që kemi hyrë në një epokë të re”, theksoi Idrizi.


Çështja “Lena” - I pyetur për të ardhmen e mesfushorit, Nijas Lena, administratori Idrizi ka shtruar edhe një pyetje. “Pse nuk ka ardhur ai djali në stërvitje?! Ne nuk largojmë njeri, këtë duhet ta kuptoni mirë. Klubi nuk merr vendime drastike. Te Flamurtari nuk ka çështje të hapura dhe çështje të mbyllura. Kjo është filozofia jonë. Ne si drejtues dhe tifozët e kemi dashur shumë Lenën. Por një gjë e them me bindje, ai veprim që bëri Lena nuk do të kalojë kaq lehtë”, përfundon Idrizi.

No comments:

Post a Comment