Thursday, November 20, 2014

Ramela: Dua 3 pikët e para me Vllazninë



Ernestino Ramela tha dje se vëmendja tashmë është përqendruar vetëm te takimi që do të luhet të shtunën për kampionat, ku vlonjatët do të udhëtojnë drejt
Shkodrës. Italiani i pankinës vlonjate, gjatë prononcimit për mediat, tha se është duke punuar shumë seriozisht për takimin e radhës. Ramela theksoi se në ndeshjen e radhës përballë Vllaznisë do të kërkohet vetëm fitorja. “Ne do të vazhdojmë të stërvitemi intensivisht. Ka shumë rëndësi për vazhdimësinë tonë ndeshja e radhës në Shkodër. Duhet që të bëjmë më të mirën në këtë takim dhe pse jo ta fitojmë atë. Flamurtari ka një grup shumë të mirë lojtarësh dhe që bëjnë diferencën. Unë kam shumë besim se së bashku do të bëjmë më të mirën edhe në takimin e radhës, edhe pse i di vështirësitë e atij takimi. Nuk do të jetë aspak e lehtë për ne, por kam shumë besim te lojtarët që kam në dispozicion”, tha fillimisht Ramela. Tekniku italian ka shprehur një keqardhje edhe për Gelashvilin, i cili rrezikon sezonin, duke qenë se nga Disiplina u pezullua me 8 javë nga aktiviteti pas gjestit që bëri në ndeshjen kundër Apolonisë. “Më vjen shumë keq. Gelashvili ishte një lojtar me karakteristika të veçanta që ne na bënte shumë punë. Uroj që të jetë i gatshëm sa më shpejt, pasi në të kundërt do të jetë një humbje e madhe për ne”, përfundoi trajneri i Flamurtarit.

No comments:

Post a Comment