Saturday, December 6, 2014

Prokuroria e Vlorës apelon vendimin për pafajësinë e Gjikës, kërkon...





VLORE – Prokuroria e Vlorës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila shpalli të pafajshëm kreun e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika dhe punonjëses së kësaj bashkie, Eleni Dardha, të cilët akuzoheshin për falsifikim të dokumenteve.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë kërkon nga Gjykata e Apelit Tiranë shpalljen
fajtorë të shtetasve Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardhaj, të akuzuar për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, të personit që e ka për detyrë, kryer në bashkëpunim, dy herë, si edhe për shtetasit Blerdi Liçaj dhe Gentian Sherifaj, të akuzuar për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”.
Organi i akuzës në Vlorë e vlerëson tërësisht të pabazuar në ligjin procedural dhe material penal vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, e cila i shpalli të pafajshëm shtetasit e mësipërm. Për prokurorinë e Vlorë, vendimi i gjykatës së shkallës së parë është rrjedhojë e vlerësimit të gabuar të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor duke mos i çmuar ato në mënyrë të drejtë.
Në Apelin e Prokurorisë së Vlorës, mund të veçohet, krahas argumenteve të tjerë, fakti që gjykata nuk është shprehur dhe nuk ka analizuar faktin që, subjektet private kanë marrë leje ndërtimi në vitin 2010, ndërkohë që ato janë regjistruar në vitin 2011, pra një vit pasi kanë marrë leje ndërtimi. Ky është një ndër argumentet, krahas të tjerëve, që prokuroria e Vlorës e vlerëson vendimin e gjykatës së shkallës së parë si rrjedhojë e vlerësimit të gabuar të provave, ose mosshqyrtimit të provave të paraqitura nga akuza.
Në vijim të këtij argumenti, Prokuroria i qëndron akuzës së falsifikimit, nisur edhe nga një situatë tjetër. Ndërkohë që leja nga KRRT, Bashkia Vlorë, për subjektin ndërtues “Deco System” rezulton të jetë dhënë në vitin 2010, kontrata e sipërmarrjes ndërmjet pronarëve të truallit dhe subjektit ndërtues “Deco System” është nënshkruar në qershor 2011, pra një vit pasi subjekti ndërtues ka marrë leje ndërtimi (ndërkohë që leja duhet të shqyrtohet pasi të jetë nënshkruar kontrata e sipërmarrjes).
Gjykata ka rrëzuar këtë provë të Prokurorisë, duke iu referuar deklarimeve të të pandehurve se kanë nënshkruar një kontratë të thjeshtë, jo noteriale, para marrjes së lejes në vitin 2010. Por ky pretendim, i cili është pranuar nga gjykata, nuk është aspak i vërtetë, për faktin se në kontratën e thjeshtë sipërmarrësit dhe pronarët e truallit kanë rënë dakord për pronën me numrat përkatës të regjistrimit, e cila është regjistruar në ZVRPP në vitin 2011. Pra, në vitin 2011, kjo pronë ka marrë numrat përkatës në regjistrat hipotekorë. Atëherë, rezulton se nuk ka pasur asnjë mundësi reale që pronarët e truallit dhe sipërmarrësit të dinin një vit më parë (në vitin 2010) saktësisht se cilët do të ishin numrat që do të regjistrohej prona pas një viti (në vitin 2011), pasi rezulton që në kontratën jonoteriale të vitit 2010, palët kanë vendosur saktësisht numrat e regjistrit hipotekor të pronës, të cilat vendosen sapo prona regjistrohet sipas radhës së aplikimeve.
Sa i përket deklarimit të gjykatës, se vendimi është i arsyetuar në 53 faqe, Prokuroria e Vlorës shprehet se pavarësisht sasisë së materialit, në thelb është një vendim i paarsyetuar. Në 39 faqe të vendimit janë pasqyruar dhe përsëritur faktet e pretenduara nga Prokurori dhe nga të pandehurit e mbrojtësit e tyre gjatë procesit gjyqësor, më tej Gjykata ka vijuar me konkluzionet e arritura prej saj, pa bërë më parë një analizë të mirëfilltë të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa çmuar drejtë vërtetësinë dhe vlerën provuese të çdo prove të administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, veprime këto që vijnë në kundërshtim me kërkesat e nenit 152 të K.Pr.Penale.
Prokuroria kundërshton çdo argument të vendimit të gjykatës. Për prokurorinë “…Në vendimin e datës 27.11.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë provat shkresore të Prokurorisë, përveç se janë përmendur në mënyrë jo të plotë, janë interpretuar jashtë kontekstit të tyre, njëkohësisht iu është atribuuar në mënyrë të padrejtë vlera e indiceve, pa shpjeguar dhe pa arsyetuar arsyen e një vlerësimi të tillë…”.
Për këto më sipër, si edhe për shumë argumente të tjerë, Prokuroria e Vlorës ka paraqitur pranë Gjykatës së Apelit, të cilës i kërkon shpalljen fajtor dhe dënimin, si më poshtë:
– Shpëtim Gjika- 4 vjet burg dhe 3 vjet burg heqje e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike
-Eleni Dardhaj- 3 vjet burg dhe 3 vjet burg heqje e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike
– Gentian Sherifaj- 2 vjet burg
– Blerdi Liçaj – 2 vjet e 6 muaj burgim

1 comment:

  1. Artikuj të mirë, A keni dëgjuar për zotin Benjamin, Email: Lfdsloans@outlook.com --WhatsApp Kontakt: + 1-9893943740-- të cilët punojnë me shërbimin e financimit ata më japin kredi prej 95,000.00 $ për të filluar biznesin tim dhe unë i kam paguar ato çdo vit tash e dy vjet dhe akoma më kanë mbetur 2 vjet edhe pse më pëlqen të punoj me ta sepse ata janë huadhënës të vërtetë të huasë që mund të të japin çdo lloj kredie.

    ReplyDelete