Thursday, November 20, 2014

Produktet e qumështit, mungojnë ambalazhimi e marketimi



“Prodhimin e tregtoj në Tiranë, por kam lidhur edhe një kontratë me një supermarket në Vlorë”, thotë
Qatip Beja, pronar i punishtes së përpunimit të qumështit “Beja” në fshatin Vllahinë. 57 vjeçari e ushtron këtë aktivitet prej rreth 18 vjetësh dhe gjatë kësaj periudhe ka shtuar prodhimin dhe cilësinë, duke u prezantuar në treg me produkte cilësore. Ai tregon se, përpunon mesatarisht rreth 6-7 kv qumësht në ditë, por në kulmin e sezonit ky tregues ka arritur edhe në 9 kv. Djathi, gjalpi, kaçkavalli e gjiza e kësaj punishteje tregtohen “rifuxho”(të paambalazhuara), për shkak të mungesës së një makinerie. Ky shqetësim, në fakt, nuk është i veçuar. Ai shfaqet rëndom tek pothuajse të gjithë prodhuesit e bulmetit në Vlorë. Sadik Balla, administrator i punishtes së përpunimit të qumështit “Balla” në fshatin Gjorm, një ndër më të njohurat në zonën e Lumit të Vlorës, tregton prodhimet jo vetëm në Vlorë, pasi ka siguruar dhe  marrëveshje me kompani të njohura në Tiranë, etj, si “Erzeni”, KMY, etj. Por, ai nuk e përjashton mundësinë që të abuzohet me emerin e produkteve që ai realizon, kryesisht djathë i bardhë dhe kaçkavall, që tregtohen nën emrin “Gjormi”. Ky fakt është kthyer në shqetësim për një pjesë të madhe të prodhuesve të bulmetit në fshatrat e Lumit të Vlorës, ku funksionojnë rreth 60 punishte të tilla, që përpunojnë qindra kv qumësht në sezon, kryesisht dele dhe dhie. Djathi i bardhë dhe kaçkavall janë mjaftë cilësorë, por prodhuesit, për shkak të teknologjisë artizanale në pjesën më të madhe, nuk kanë mundësi ambalazhimi dhe marketimi. Dhe kjo ndikon edhe në çmimin e shumicës së prodhuesve vlonjatë. Prodhuesit e kësaj zone tregojnë se dhjetra automjete frigoriferike nga Tirana tërheqin djathin e baxhove të lumit të Vlorës. “Për shkak të vështirësive për të çuar prodhimin në Vlorë për shkak të mungesës së ambalazhit dhe marketimit, detyrohemi të japim djathin me një çmim 150-200 lekë për kilogram më të ulët se tregu”, thonë prodhues të ndryshëm të bulmetit në Vlorë. Ata e tregtojnë djathin “rifuxho” sepse për etiketë as që bëhet fjalë. Dhe kështu, megjithëse numri i punishteve të qumështit dhe cilësia e produkteve të bulmetit rriten, problemet ngelen po ato. Ata që e pësojnë, janë prodhuesit të cilët humbasin jo vetëm nga çmimi, por sidomos dhe më e rëndësishmja, nga emri.

No comments:

Post a Comment