Thursday, November 20, 2014

Kupa e Shqipërisë zbardh 4 çiftet çerekfinale, spikat parballja mes Flamurtarit e Skënderbeut

U përcaktuan katër çiftet çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Ato janë: Flamurtari-Skënderbeu e Vllaznia-Kukësi për grupin A, si dhe Tirana-Apolonia e Partizani-Laçi  për grupin B. Pas së mërkurës, që zbardhi 6 skuadrat e para të kualifikuara në këtë raund, e enjtja nuk prodhoi ndonjë surprizë, duke parë të përparojnë më tej dy skuadra me emër dhe traditë, si Tirana e Skënderbeu, që fituan pa probleme e thellë ndaj Bylisit (6-0) dhe Tërbunit (6-1), respektivisht. Ky kompeticion mund të thuhet se hyn tashmë në
fazën e vet interesante, pasi ka skarcuar rrugës skuadrat pa pretendime, kryesisht ato të Kategorisë së Parë, por edhe ndonjë tjetër në mënyrë të paparashikueshme, sikurse ishte Teuta. Nëse kishte një verdikt surprizë në turin e dytë të Kupës, ky ishte eliminimi i durrsakëve të drejtuar nga Hasan Lika. Fierakët e rikthyer në Superiore nuk kanë ambicie, gjithsesi, në këtë kompeticion, sepse duhet t’i përqendrojnë të gjitha energjitë në kampionat, për të mbijetuar. Megjithatë, Demiraj dhe të tijtë treguan respekt maksimal për Kupën, duke mos u bërë “urë kalimi” për kundërshtarin si mjaft të tjerë, që luajtën sa për statistikë.
Cerekfinalet e Kupës së Shqipërisë do të vijojnë të luhen me të njëjtën skemë, me dy grupe, vajtje-kthim. Ndeshjet e para janë planifikuar të zhvuillohen më 21 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa ato të kthimit më 4 shkurt 2015. Përplasjet janë të ethshme në letër, sepse bëhet fjalë për skuadra që po rivalizojnë ashpër edhe për kreun e Superiores deri më tani. Spikat pa diskutim dueli Flamurtari-Skënderbeu, që ka mbajtur gjallë dhe plot emocione futbollin shqiptar në vitet e fundit. Kuqezinjtë janë fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, ndaj korçarët do të tentojnë t’ua marrin kurorën, duke u hakmarrë shpejt për eliminimin në gjysmëfinalet e edicionit të shkuar. Juglindorët synojnë ta bëjnë të vetin edhe këtë trofe, i cili u mungon në “palmaresin” e tyre. Kuqebardhët e kanë lakmuar fort në katër vitet e fundit, por s’ia kanë dalë dot të bëjnë “bis” (me titullin kampion, që e fitojnë prej 4 vitesh radhazi). Partizani dhe Laci është një tjetër përballje që premton shumë antagonizëm në grupin A. Të kuqtë e kanë objektiv kryesor fitimin e Kupës së Shqipërisë, ndaj janë të impenjuar maksimalisht për t’i shkuar deri në fund kësaj gare. Po ashtu, kurbinasit ia kanë mësuar shijen këtij trofeu dy edicione më parë, kur fituan në finale ndaj Bylisit dhe siguruan Europën. Kjo e fundit është dicka e vështirë kësaj here përmes kampionatit, ndaj Cungu dhe të tijtë do të bëjnë cmos t’i superojnë “demat” e të shkojnë përpara.
Në grupin B spikat dueli verior mes Vllaznisë dhe Kukësit. Dy skuadra të denja për njëra-tjetrën, megjithatë nënkampionët duken më lart për momentin. Jo vetëm se kanë një grup lojtarësh cilësorë, jo vetëm se po kryesojnë në Superiore, por sepse kuqeblutë nuk janë në ditët e tyre optimale. Përkundrazi, me humbjet e njëpasnjëshme në kampionat, 6 të tilla radhazi, të bëjnë të mendosh se Vllaznia s’ka mundësi t’i mbajë “dy kunguj nën sqetull”. Thënë ndryshe, do të fokusohet te mbijetesa në Superiore. Nëse ndryshojnë gjërat në merkaton e janarit, falë bordit të ri drejtues të klubit, atëherë mund të flasim ndryshe.
Tirana duket se do të ketë misionin më të lehtë në letër në turin cerekfinal. Apolonia vërtet eliminoi në gjysmëfinale Teutën, por nuk është në planet e saj ky kompeticion. Jo se nuk do t’u pëlqente fierakëve ta fitonin sërish Kupën, si në edicionin 1997-1998, por “de facto” nuk i kanë mundësitë përballë një “makinerie të rëndë” si ajo bardheblu. Vlen të theksohet se nga tetë skuadrat që do të vijojnë të luajnë në Kupën e Shqipërisë, vetëm njëra prej tyre nuk e ka shijuar këtë trofe. Ai është Skënderbeu, që shumë ka dashur të bëjë “bis” në vitet e fundit, kur ka komanduar futbollin shqiptar, por nuk ia ka dalë me Kupën.

No comments:

Post a Comment