Saturday, November 15, 2014

Kartoni i kuq, për Gelashvilin gati ndëshkimi me...



Kartoni i kuq që mori ndaj Apolonisë nuk do kalojë pa zhurmë. Nikoloz Gelashvili pritet të ndëshkohet për gjestin e kryer në takimin e fundit në Fier, që e detyroi ekipin e Flamurtarit ta mbyllë lojën në inferioritet numerik. Sulmuesi gjeorgjian duket se nuk do t’i shpëtojë dot masës për
debatin dhe që pështyu lojtarin kundërshtar, Mikel Canka. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” nga burime pranë drejtuesve vlonjatë. Gelashvili pritet që të ndëshkohet nga klubi jo vetëm për veprimin që bëri ndaj futbollisti të fierakëve, por edhe për shkak të lënies së ekipit me 10 lojtarë në fushë. Nuk dihet se në çfarë forme do të jetë ndëshkimi i Gelashvilit. Mendohet që sulmuesi gjeorgjian të gjobitet, por nuk përjashtohet as ndonjë mundësi për pezullimin e tij nga Flamurtari, jo si fati i lojtarëve që u pezulluan, por kjo mund t’i kushtojë atij mosaktivizimin edhe pse do të stërvitet me ekipin. “Ne jemi një klub profesionistësh dhe duam që të bëjmë institucion duke qenë edhe shembull për ekipet e tjera. Me këtë dua të them se asnjë lojtar nuk do t’u shpëtojë ndëshkimeve nëse shkelin kodin e etikës së klubit, qoftë ky Gelashvili. Pra kjo do të thotë se ky gjest që ai ka bërë nuk do të kalojë pa masa. Lojtari dëmtoi edhe ekipin, duke dalë me karton të kuq”, tha dje për gazetën një burim shumë pranë donatorit Idrizi.
Ndjesa Nikoloz Gelashvili mësohet se u ka kërkuar falje drejtuesve dhe klubit për gjestin që kreu në Fier. Nga sa mësohet gjeorgjiani ka deklaruar se veprimi i tij erdhi si pasojë e nervave të lojës dhe se nuk kishte asnjë tendencë për këtë. “Unë kërkoj falje për këtë gjest që në fakt nuk mund të kryhej. Isha në nerva e sipër loje dhe ndaj nuk u përmbajta. Unë marr përsipër fajin që kam kryer. Veç veprimit jo të hijshëm, kërkoj ndjesë edhe për lënien në baltë të ekipit, i cili mbeti me 10 lojtarë në fushë për fajin tim. Nuk do ta përsëris më një veprim të tillë”, u ka thënë krerëve të klubit gjeorgjiani pas atij gjesti antisportiv.

No comments:

Post a Comment