Saturday, November 15, 2014
Haxhiu: S’mund të dëmtohemi nga mungesa e ...
Saimir Haxhiu, anëtari i bordit të Klubit të Futbollit Flamurtari zbardh se vendimi i marrë për ndryshimin e stafit teknik ka qenë rrjedhojë e një
diskutimi të gjatë dhe të mirëstudiuar nga ana e bordit drejtues. Sipas Haxhiut, ish-trajnerin Gjoka nuk e donte fati, apo ndonjë fanatizëm i ideve që ndikuan në rezultate jo të mira, në veçanti në javët e fundit. “Si fillim, dua të sqaroj se menaxhimi i ri i Flamurtarit ka dashur të bëjë ndryshimin në mentalitetin shqiptar, se po humbe një ndeshje, duhet menjëherë të shkarkohesh nga detyra. Këtë e vërtetuam me Gjokën, të cilit i lamë dorë të lirë. Dua të rikujtoj se me blerjet e verës qëllimi ishte konturimi i një skuadre cilësore me objektiva afatgjatë dhe nuk pati presion për fitimin e titullit kampion. Rezultatet nuk erdhën, dhe si në të gjithë botën, ndërhymë për të mos rrëshqitur në greminë. Unë e kam thënë edhe më parë për ish-trajnerin Gjoka, se nuk ishte fati i tij, por edhe ndonjë fanatizëm i ideve që nuk e ndihmuan në rezultat. Por ajo që është më e rëndësishmja mbetet shembull i një personi që Flamurtari ka nevojë gjithnjë, njeri korrekt dhe njeri që ndien përgjegjësinë e punës që bën. Diskutuam gjatë me Idrizin dhe ramë dakord se ishte e nevojshme një zgjidhje e tillë”, thotë fillimisht Haxhiu.
Stafi - Anëtari i bordit ndalet edhe te stafi i ri teknik, me në krye italianin Ramela, teksa thotë: “Te trajneri i ri vlerësoj parimisht mentalitetin e tij, pasi është në gjendje t’i përgjigjet projektit të kësaj shoqërie. Por ajo që duhet të bëjmë është që sportdashësit të vijnë jo për t’u shqetësuar, por për t’u argëtuar dy orë në stadium”.
Regjimi - Sipas Haxhiut, lë shumë për të dëshiruar profesionalizmi si dhe regjimi sportiv i disa lojtarëve. Anëtari i bordit i bën thirrje stafit teknik që këto gjëra të mos tolerohen më. “Stafi i ri nuk duhet që të tolerojë mungesën e seriozitetit. Është për të ardhur keq që profesionalizmi i disave lë për të dëshiruar, si në regjimin sportiv, por dhe në sjelljen në fushë. Pa arsye, në një ndeshje të lë në baltë Mici, në një tjetër Gelashvili, por ndihet ndonjëherë, por ka edhe raste kur ka mungesë impenjimi. Këto gjëra duhet urgjentisht të mos tolerohen më. Bordi funksionon dhe më vjen mirë që ka komunikim korrekt me Idrizin, në unanimitetin e vendimeve. Po punohet jo vetëm për infrastrukturën, por edhe me akademinë. Do të jem mbështetësi dhe opozitari më i madh për këtë çështje”, përfundon Haxhiu.
Labels:
Sport
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

No comments:
Post a Comment