Sunday, November 16, 2014
“Basti” i Vucajt: Prisni një Flamurtar super. Në Shkodër marrim fitoren, boll zhgënjyem
Erjon Vucaj mendon se Flamurtari do të rikthehet shumë shpejt, duke marrë kështu vendin që i takon në kampionatin shqiptar. Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, mesfushori mendon se është ende herët për të
folur për objektiva konkretë, por nuk ngurron që të pranojë se vlonjatët do ta kalojë shpejt këtë ngërç psikologjik, që i ka kapluar. Sipas shkodranit, në asnjë rast lojtarët nuk kanë qenë në presion nga drejtuesit për objektivat, ndonëse ata vetë kanë synime të mëdha për këtë edicion. “Është herët për të folur për objektivat. Ne kaluam një moment të keq dhe kjo erdhi si pasojë e një ngërçi psikologjik që na kaploi. Por tashmë jemi më të qetë dhe mendojmë se e kemi hedhur pas krahëve të keqen. Flamurtari është një ekip me lojtarët më të mirë të Superiores dhe ky është një luks i madh. Kemi zhvilluar ndeshje negative dhe për këtë jemi të vetëdijshëm, pasi nga ne pritet realisht shumë dhe me të drejtë. Nuk kemi pasur asnjë presion nga drejtuesit dhe kjo duhet qartësuar, ata na kanë lënë të qetë dhe nuk na kanë vendosur ndonjë kusht. Problemi qëndronte te ne, pra lojtarët. Nuk kemi qenë në trysni, madje drejtuesit na kanë ndihmuar për ta kaluar sa më shpejt këtë situatë”, tha fillimisht Vucaj gjatë fjalës së tij.
Objektivat Më tej, mesfushori u ndal gjerësisht edhe te synimet e kuqezinjve. Sipas tij, Flamurtari këtë sezon do të jetë te skuadrat më të mira, aty ku në fakt i takon dhe për këtë ka besim edhe te stafi i ri teknik. “Ne nuk jemi aty ku duhet të ishim. Por unë kam shumë besim se do të arrijmë më të mirën në vazhdim. Kam bindjen se stafi i ri teknik, me në krye trajnerin Ramela, do të sjellë ndryshimin. Janë ditët e para, por ndihem shumë optimist për të ardhmen. Shikoj seriozitetin me të cilin është duke punuar stafi i ri dhe kjo të jep shpresë. Do të ecim mirë, për këtë të jeni të sigurt. Kurse sa u përket të përbashkëtave që Ramela mund të ketë me Gjokën, them se është shpejt që të flasësh, pasi jemi në fazën e njohjes”, shtoi lojtari.
Ndeshja Sipas Erjon Vucajt, ndeshja me Vllazninë duhet të vlerësohet maksimalisht, pasi kuqezinjtë nuk kanë rrugë tjetër, veç fitores në këtë takim. “Çdo ndeshje duhet vlerësuar maksimalisht si brenda edhe jashtë, sidomos në kushtet që jemi. Me Vllazninë duhet të japim maksimumin tonë, për të arritur kështu më të mirën dhe të kthehemi te rezultatet pozitive. Natyrisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, por unë kam bindjen se do të arrijmë një rezultat të mirë, për shkak se ne duhet të shkojmë në vendin që e meritojmë”, përfundon shkodrani, i cili në fakt do të përballet me të shkuarën në këtë sfidë.
Labels:
Sport
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

No comments:
Post a Comment